KV Shkëndija feston 50-vjetorin: Ndeshje reviale dhe kremtim i jubileut

Klubi i Volejbollit Shkëndija këtë të shtunë (30 nëntor) shënon një moment historik, 50-vjetorin e themelimit, duke festuar gjysmë shekulli të sukseseve, përkushtimit dhe pasionit për volejbollin. Ky jubile i rëndësishëm do të shënohet me një ndeshje reviale ndërmjet veteranëve të KV Shkëndija dhe veteranëve të Kosovës, ndërsa në mbrëmje është planifikuar një darkë e përbashkët festive me pjesëmarrjen e shumë mysafirëve dhe personaliteteve që kanë kontribuar ndër vite për këtë klub të madh.

Për të qenë të gatshëm për ndeshjen reviale, por më shumë për të rigjallëruar nostalgjinë dhe kujtimet e bukura, gjeneratat e ish-lojtarëve të Shkëndijës kanë nisur përgatitjet intensive disa ditë para kësaj ngjarjeje. Nën drejtimin e trajnerit legjendar, profesor Miftar Ziberi, i cili është sinonim i zhvillimit të volejbollit në Tetovë dhe më gjerë, veteranët po zhvillojnë seanca stërvitore për t’u rikthyer në formë dhe për të mbajtur gjallë emocionet e dikurshme.

Trajneri Ziberi, tashmë i kthyer në parket për të udhëhequr një tjetër betejë, ka marrë nën krah lojtarët që dikur përfaqësonin me krenari ngjyrat kuqezi. Mes tyre janë emra të njohur si Agon Ibraimi, Mensur Hamza, Pellumb Vela, Abdush Demiri, Faton Arifi, Durim Luma, Naser Qamili, Besim Rexha, Habil Ajeti, Besian Reka dhe Zelfi Baftijari, të cilët rikthyen në stërvitje atmosferën dhe kujtimet e lavdishme të klubit.

Seancat stërvitore do të vazhdojnë deri të premten, ndërsa të shtunën, me profesor Miftar Ziberin në krye, veteranët e Shkëndijës do të përballen me ekipin e veteranëve të Kosovës në një përballje simbolike që përfaqëson respektin, bashkimin dhe pasionin për volejbollin.

Ky jubile nuk është vetëm një ngjarje sportive, por një reflektim mbi një udhëtim të gjatë plot sfida dhe suksese. KV Shkëndija mbetet një emblemë e sportit dhe krenarisë në Tetovë, duke vazhduar të frymëzojë brezat e rinj që të ndjekin rrugën e vlerave dhe përkushtimit.

Shkëndija nuk është vetëm një klub, është një histori e gjallë, dhe këtë të shtunë, e gjithë kjo histori do të festohet siç i ka hije një gjysmë shekulli të lavdishëm!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close