Isnik Alimi shkruan historinë në Kinë, futbollisti strugan shpallet kampion!

Futbollisti shqiptar nga Struga, Isnik Alimi, ka hyrë në histori në futbollin kinez, duke u shpallur kampion me skuadrën e Dalian Yingbo. Ekipi i mesfushorit shqiptar realizoi një triumf të jashtëzakonshëm, duke fituar titullin e parë kampion në historinë e klubit.

Në një nga përfundimet më dramatike të sezonit, Dalian Yingbo triumfoi me rezultat 3:1 në shtëpi ndaj Tianjin, në ndeshjen e fundit të kampionatit. Ndërkohë, lideri i deriatëhershëm Chengdu pësoi humbje 3:2 në transfertë ndaj Shandongut, ndonëse i mjaftonte vetëm një pikë për të siguruar titullin.

Të dyja skuadrat e mbyllën sezonin me nga 52 pikë, por falë bilancit më të mirë në përballjet direkte, trofeu i kampionatit i takoi Dalian Yingbo, skuadrës së Isnik Alimit.

Futbollisti strugan ishte ndër lojtarët më të rëndësishëm të ekipit gjatë sezonit, duke zhvilluar paraqitje të shkëlqyera. Përveç titullit kampion, Dalian Yingbo siguroi edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve të Azisë.

Alimi e përfundoi sezonin me 27 paraqitje dhe dy gola, ndërsa vlerësimi mesatar prej 8.2 dëshmon nivelin e lartë të paraqitjeve të tij dhe kontributin e rëndësishëm në suksesin historik të klubit.

Një arritje e veçantë për futbollistin shqiptar, i cili tashmë bëhet futbollisti i parë nga Maqedonia e Veriut që fiton titullin kampion në Kinë.

Megjithatë, pavarësisht formës së shkëlqyer dhe suksesit të madh në Kinë, Isnik Alimi është lënë jashtë përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close