Isa Elmazi fiton dy medalje në Kampionatin Ballkanik të Karatesë në Stamboll!

Karateisti i Klubit FATI nga Tetova, Isa Elmazi, u shpall kampion ballkanik në konkurrencën ekipore me reprezentacionin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa në garat individuale fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë Junior -76 kg.

Një paraqitje e shkëlqyer për Isa Elmazin në Kampionatin e 26-të Ballkanik për kadetë, juniorë dhe U21, i cili u zhvillua nga 6 deri më 8 nëntor në Stamboll të Turqisë.

Në këtë kampionat, ku morën pjesë 1.137 garues nga 13 shtete, Elmazi u ngjit dy herë në podium, duke fituar medaljen e argjendtë në konkurrencën individuale dhe medaljen e artë në atë ekipore.

Në kategorinë Junior -76 kg, karateisti tetovar zhvilloi pesë meçe, duke regjistruar katër fitore radhazi dhe duke siguruar kualifikimin në finalen e madhe. Në luftën për medaljen e artë, ai u mposht me rezultat minimal 0:1 nga përfaqësuesi i Bosnjë-Hercegovinës, Andrej Kalinkov, duke u stolisur me medaljen e argjendtë.

Rezultatet e Isa Elmazit në garat individuale:

  • Isa Elmazi – Davud Erdag (Turqi) 8:0
  • Isa Elmazi – Geçaj Nemanja (Mali i Zi) 1:0
  • Isa Elmazi – Dolloman Mihail (Rumani) 3:1
  • Isa Elmazi – Dabić Miloš (Bosnjë-Hercegovinë) 1:0
  • Finalja: Isa Elmazi – Andrej Kalinkov (Bosnjë-Hercegovinë) 0:1

Suksesi i Elmazit u kompletua në konkurrencën ekipore, në disiplinën e kumites, ku reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut u shpall kampion ballkanik për juniorë.

Ekipi triumfoi ndaj Serbisë me rezultat 3:1 në rrethin e parë, ndaj Malit të Zi me rezultat identik në rrethin e dytë, ndërsa në finale siguroi fitoren ndaj Bosnjë-Hercegovinës për të fituar titullin e kampionit ballkanik.

Në klasifikimin e përgjithshëm të kampionatit, reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut u rendit në vendin e katërt.

Pas këtij suksesi në Stamboll, fokusi i Isa Elmazit dhe garuesve të tjerë kalon te Kampionati Shtetëror për kadetë, juniorë dhe U21, që do të mbahet më 28 nëntor në Shkup. Kjo garë shërben edhe si kualifikuese për Kampionatin Evropian, i cili do të zhvillohet në Armeni në shkurt të vitit 2027.

Dy medaljet e fituara në Stamboll përbëjnë një tjetër sukses për Isa Elmazin dhe Klubin e Karatesë FATI nga Tetova, si dhe një kontribut të rëndësishëm në paraqitjen e reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut në arenën ballkanike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close