Të shtunën në Tetovë u organizua xhiroja e parë e kampionatit shtetëror në boks për kategori të reja. Federata e Maqedonisë kishte vendosur që organizimin e xhiros startuese t’ia besonte klubit Boks Klub Shkëndija No Limit të cilët u treguan nikoqir i suksesshëm në eventin e mbajtur te palestra e vjetër e Gjimnazit të Tetovës.

“Nga Federata e Boksit të Maqedonisë na u mundësua ta organizojmë xhiron e parë të Ligës Rajonale. Kishim gjithsej 14 ndeshje nga grupmoshat pionerë, deri te grupmoshat seniorë dhe gjithçka ka shkuar si duhet. Boks Klub Shkëndija No Limit kishte 5 garues, por vetëm dy performuan, pasi tre të tjerët s’kishin kundërshtarë. Me ato dy që garuam morëm një fitore dhe një humbje. Jam i kënaqur që gjithçka shkoi si duhet dhe sipas planit dhe shpresoj të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen”, deklaroi trajneri i Boks Klub Shkëndija No Limit, Halim Abazi.

Organizimi i suksesshëm u lavdërua edhe nga i pari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili kishte zgjedhur që të shtunën ta kalonte pikërisht duke ndjekur gara të boksit. Organizimi i suksesshëm i xhiros së parë të kampionatit nga Boks Klub Shkëndija No Limit nuk paraqet ndonjë befasi të madhe, pasi që tashmë ky klun në krye me Halim Abazin janë të dëshmuar si organizator të shkëlqyeshëm të spektakleve të boksit edhe në nivel ndërkombëtarë.


