E diela është ditë aktive për karateistët e vendit. Gjithë garuesit me me potencial reprezentativ do të kenë grumbullim stërvitor me organizim të përfaqësueseve Maqedonisë së Veriut. Pra nesër (11.09.2022) në palestrën sportive Goce Dellcev në Lisiçe të Shkupit, të ftuar nga ana e seleksionuesëve të karatesë së Maqedonisë së Veriut për kadet, junior dhe U21, janë të gjithë trajnerët dhe klubet anëtare të federatës së karatesë së bashku me garuesit e tyre që hyjnë në kategoritë e kadetëve, juniorëve, U21 dhe seniorë. Në këtë grumbullim do të mbahen stërvitje të përbashkëta në të dy disciplinat, kata dhe kumite (luftëra). Qëllimi i grumbullimit është afrimi dhe shkëmbimi i mendimeve të garueseve që në të ardhmen do të prezentojnë Maqedoninë në kampionate europiane dhe botërore. Planifikimi i këtyre stërvitjeve do të mbahet çdo muaj me qëllim të vetëm shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e nivelit apo formës së garueseve.

Stërvitjet do t’i udhëheqin seleksionuesit e reprezentacionit të kadetëve Dejan Risteski, seleksionuesi i juniorëve, kampioni i katërfishtë europian, Berat Jakupi dhe seleksionuesi i U21 dhe seniorëve Aleksandar Kuzmanovski, emra të njohur për opinionin dhe profesionistë që garantojnë punë serioze dhe rezultate në të ardhmen. Ndërsa në kata poashtu stërvitjet do t’i udhëheqin seleksionues në kata Nexhbi Dervishi, ish-garues i shkëlqyer në kata, pastaj Ivana Avramova, seleksionuese tek juniorët në kata dhe në U21, si dhe seniorë Stojan Andrievski.
Udhëheqës i grumbullimit dhe aktiviteteve është drejtori i reprezentacionit të karatesë në Maqedoninë e Veriut, mr. Arlind Huseini.


