Më 16 nëntor 2024, Ostermann Arena në Leverkusen do të mirëpresë boksierët tetovarë dhe jo vetëm në eventin e madh të organizuar nga No Limit Boxing, ku përballjet priten të jenë të mbushura me emocion dhe energji. Pjesë e këtij eventi do të jetë edhe boksieri premtues shqiptar Leonard Abazi, i njohur si “Princi Tetovar” dhe krenari e Boxclub Shkëndija No Limit.

Leonardi, në moshën vetëm 18-vjeçare, ka bërë tashmë emër me tre fitore të pandalshme dhe renditje të lartë në botë (#450 në BoxRec). Ai do të përballet me një kundërshtar me përvojë nga Brazili, i gatshëm për të dëshmuar forcën dhe talentin e tij në këtë duel të katërt profesional. Me përkushtim dhe objektiva të qartë, Abazi premton një performancë të fuqishme, duke u zotuar të largohet nga ringu si fitues.
Postimi i Leonard Abazit:
“Unë jam në top formë dhe kundërshtari im është i qartë: një boksier brazilian me shumë përvojë. Nuk do t’ju zhgënjej! Do të shkoj atje për të treguar forcën dhe talentin tim dhe do të largohem nga ringu si fitues. Mezi pres t’ju shoh të gjithëve në Leverkusen më 16 nëntor 2024!”

Së bashku me Abazin, në ring do të ngjiten dhe boksierët shqiptarë Benjamin Imeri dhe Lindor Krasniqi. Benjamin Imeri, me gjashtë ndeshje profesionale në karrierë, ka kryer përgatitje intensive në Berlin për këtë përballje të shtatë, duke u përgatitur për të dhuruar një ndeshje plot adrenalinë dhe energji. Ndërsa Lindor Krasniqi do të debutojë profesionalisht në këtë mbrëmje, përballë një boksieri vendas. Ky hap i parë në karrierën e tij profesionale është një mundësi për të lënë gjurmë në botën e boksit, dhe ekipi beson fort se do të jetë një fillim i shkëlqyer për Krasniqin.

Trajneri Halim Abazi ndau emocionet e tij për këtë natë të rëndësishme:
“Më 16 nëntor do të kemi një event të veçantë për ekipin tonë në Leverkusen! Benjamin Imeri dhe Lindor Krasniqi janë gati të japin më të mirën e tyre, dhe me ekipin tonë të fortë, jemi krenarë që luftojmë së bashku. Suksese djem – jemi pas jush!”
Për ata që dëshirojnë të ndjekin drejtpërdrejt këtë event, Boxclub Shkëndija No Limit ofron kodin LEO10 për 10% ulje. Mos humbisni mundësinë për të mbështetur djemtë tanë dhe për të përjetuar këtë natë emocionuese në Leverkusen!


