Finale për kuqezinjtë tetovarë në Play Offin e elitës së volejbollit të Maqedonisë së Veriut në konkurencë të meshkujve. Me dy fitore në dyja ndeshjet e gjysmëfinales, Shkendija eliminoi Vardarin dhe prenotoi duel final për trofeun e këtij sezoni. Pas triumfit 3:2 në ndeshjen e parë në Tetovë, Shkëndija edhe një herë tregoi klas ndaj rivalit shkupjan, duke shënuar fitore 3:1 në terren mysafir në Shkup. Dominim që në fillim për Shkëndijën që avansoi 2:0 në sete pas rezultateve 25:15 dhe 25:17. Vardari zbuti negativën në 2:1 pasi fitoi setin e tretë me shifrat 25:21, mirëpo reagoi mirë ekipi i Durim Lumës që mori 25:16 setin e katërt, duke mbyllur takimin me rezultat 3:1 që çon Shkëndijën në finalen e play offit. Kuqezinjtë tetovarë mbyllën pjesën e rregullt të sezonit si nënkampionë, derisa tashmë edhe zyrtarisht janë në garë për trofeun. Finalja e madhe e play offit ku do të diskutohet titulli kampion përplas mes veti dy ekipet më të mira të këtij sezoni KV Strumica dhe KV Shkëndija.


