Pas 12 vitesh pauzë, Kodra e Diellit rikthen një nga garat më të rëndësishme të skijimit në Ballkan – Kupën e 41-të të Malit Sharr! Ky spektakël i borës dhe shpejtësisë, që ka filluar traditën e tij në vitin 1947 dhe që nga viti 1954 është pjesë e kalendarit të Federatës Ndërkombëtare të Skijimit (FIS), do të mbledhë përsëri sportistët më të mirë të rajonit.

Më 26 dhe 27 shkurt, në pistat e Kodrës së Diellit, do të garojnë skitarë nga Maqedonia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Kroacia, Mali i Zi, Greqia, Kosova dhe Qipro, duke sjellë emocione të jashtëzakonshme për të gjithë adhuruesit e sportit të bardhë.
Organizuar nga Federata e Skijimit e Maqedonisë, me mbështetjen e FIS, Ministrisë së Sportit, Qendrës së Skijimit Kodra e Diellit, UNI Bankës, PSS, MRTV dhe Vertigo, ky event synon të rikthejë traditën dhe të konfirmojë Kodrën e Diellit si një destinacion kryesor për garat e skijimit në rajon.

