Jusuf Osmani nuk do të jetë udhëheqës i tifo grupit “Shvercerat”. Lideri i tanishëm i grupit të zjarrtë publikisht ka njoftuar se nuk do të jetë në krye të tifozëve bardheblu.

Postimi i plotë i Jusuf Osmanit:
Pas disa viteve e pas shumë momenteve të bukura, më duhet të ju informoj që nga sot, nuk do të jem udhëheqës i tifo-grupit Shvercerat Shkup.
I falënderoj të gjithë shokët, familjarët dhe Shvercerat që asnjëherë nuk më lanë vetëm në këtë rrugëtim të vështirë.
Ishte e vështirë sepse ishte përgjegjësi e madhe që të jesh udhëheqës i tifo-grupit më të madh në vend, dhe njëkohësisht, ishte kënaqësi dhe nder që të jesh në krye të tifo-grupit më të organizuar në vend.
Nuk do t’a harroj asnjë ndeshje, asnjë udhëtim, asnjë aktivitet. Nuk do t’a harroj asnjërin nga ju që deri në orët e vona qëndruat rrugëve duke punuar që gjithçka të shkon e të duket mirë. Në momentet më të vështira për mua, ju ishit aty, jo vetëm si Shvercera, por si vëllezër, si familje.
Emocionet që i përjetova në tribunë, duke kënduar çdo 90 minuta nuk përshkruhen, nuk përsëriten, kurrë nuk do t’i harroj.
Unë gjithmonë do të jem afër Shkupit, por mendoj që shumë gjëra duhet të ndryshojnë, shumë njerëz duhet të ikin. Duhet t’a kuptoni që Shkupi është më shumë se një skuadër. Shkupi ka histori dhe traditë, që e shkruan dhe e krijuan ndër vite shumë njerëz me djersë.
Më vjen keq që Shkupi nuk është siç ka qenë, më të mirët u larguan, biznesmenët ngelën.
Gjithsesi, besoj që përsëri do të takohemi, përsëri do të festojmë dhe besoj që një ditë, do të rikthehemi aty ku e kemi vendin.
Shvercerat janë institucion, janë ushtarët e Shkupit, janë shkolla e vjetër.
Njëherë Shvercer, gjithmonë Shvercer!

