Ish-kampioni evropian Nuri Seferi për herë të parë do të boksojë në Tetovë! 

“Night of the Champions” sjell spektakël historik në qytetin e boksit shqiptar.

Tetova do të jetë qendra e boksit më 2025, kur për herë të parë në histori, legjenda shqiptare e ringut, Nuri Seferi, do të ngjitet në ringun profesionist përpara publikut të tij. Ish-kampioni evropian, i njohur si “Tyson-i shqiptar”, do të jetë ylli kryesor i ngjarjes madhështore “Night of the Champions”, që mbahet tradicionalisht në Tetovë.

Lajmi u bë i ditur nga organizatori Halim Abazi, i cili me emocion njoftoi për këtë përballje historike duke theksuar se nuk është thjesht një meç, por një akt krenarie kombëtare, një moment që shënon ngritjen e boksit shqiptar në skenën ndërkombëtare.

Përveç Nuri Seferit, në ring do të zbresin edhe tre yje të rinj tetovarë që po shkëlqejnë në arenën profesioniste: Leonard Abazi Lima, Lulzim Ismaili dhe Armin Ajrulai. Tre djem që do të ndezin atmosferën me duele të forta, që premtojnë spektakël dhe emocione.

Në total do të zhvillohen 10 duele profesionale, ndërsa për herë të parë, kjo mbrëmje e jashtëzakonshme do të transmetohet drejtpërdrejt në televizionet e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe në platformën globale DAZN, duke i dhënë eventit një jehonë ndërkombëtare.

“Night of the Champions” nuk është më vetëm një ngjarje sportive, është një manifestim i kulturës, identitetit dhe krenarisë shqiptare. Tetova do të jetë e tëra në këmbë për të përshëndetur një kampion dhe për të festuar një natë që do të shkruajë historinë e boksit në trojet tona.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close