Garuesit e Klubit te Karatese Fati nga Tetova Isa Elamzi dhe Erdona Ziberi do të marrin pjesë në turneun e karatesë “Karate 1 Youth League” që do të mbahet nga 29 qershori, deri më 2 korrik në Poreç të Kroacisë.

Erdona Ziberi do të garojë të premten (30 qershor) në kategorinë e juniorëve -66 kg ku edhe pritet që puna e saj e palodhme të rezultojë me paraqitje dinjitoze.
Ndërkohë Isa Elmazi do të paraqitet të dielën (02 korrik) në kategorinë -55 kg U14 vjeç.
“Ka qenë një punë e madhe si përgatitje e të dy garuesve për këtë turne, janë angazhuar pa kursyer veten dhe nëse fati pak do të jetë me ne, besoj se të dy do të dalin me rezultate të mira”, thotë trajneri i KK Fati, Arlind Huseini.
Erdona Ziberi në kategorinë e saj ka 57 garuese nga 25 shtete të ndryshme, ndërsa Isa Elmazi do të garojë në mesin e 56 karateistëve nga 20 shtete në kategorinë e tij U14 në -55 kg.
“Konkurenca është shumë e fuqishme me garues shumë të mirë. Janë gjithsej 3 275 garues nga 72 shtete pjesëmarrëse dhe organizatorët presin garë shumë kualitative. Si trajner jam shumë i kënaqur me punën e tyre, kanë qenë shumë të disiplinuar në punën e tyre dhe kam shpresë dhe besim që do të kthehemi me rezultate pozitive”, përfundon trajneri i KK Fati, Arlind Huseini, një mjeshtër i karatesë në zejen e tij, duke nxjerë kampionë të vërtetë të këtij sporti.




