E papritur | Amarildo Bakaj tërhiqet nga boksi në moshën 26-vjeçare

Një vendim që vjen si rrufe në qiell të hapur ka befasuar opinionin sportiv. Boksieri shqiptar Amarildo Bakaj ka njoftuar tërheqjen nga boksi përmes një postimi emocional në rrjetet sociale, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij.

Në reagimin e tij, Bakaj flet për një periudhë të vështirë të mbushur me sfida, zhgënjime dhe mungesë mbështetjeje. Ai thekson se, pavarësisht talentit dhe përkushtimit, rrethanat nuk i kanë dhënë mundësinë të arrijë aty ku synonte.

Boksieri 26-vjeçar shpreh krenarinë për rrugëtimin e tij dhe thekson se gjithmonë ka përfaqësuar me zemër Shqipërinë, ndërsa në fund falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë karrierës.

Postimi i plotë i Amarildo Bakajt:

Sot ndaj me ju dorëheqjen time nga boksi. E di që një pjesë e madhe do mërziten dhe një pjesë do gëzohen. Gjatë karrierës time nuk mbaj mend që kam derdhur lot gëzimi. E dini shumë mirë sa janë munduar të ma prishin emrin duke folur keq për mua, sepse e kanë parë që kam talent dhe mund të arrij shumë lart. Tani rrini të qetë, mos ma helmoni më zemrën me mua.

Shumica kanë menduar se po kërkoja famë kur ju kërkoja ndeshje si Ben Whitaker etj. Ata s’më kanë frikë, thjesht për të më pranuar ndeshjen, boksierët me emër duhet të kenë sponsorë në anën time që të mund t’u ofrojmë atë që kërkojnë. Boksierët në Angli dhe SHBA janë të fortë jo se kanë më shumë zemër apo forcë se ne shqiptarët, por sepse atyre u paguhen trajnerët më të mirë, biznesmenët u afrohen si sponsorë. Ata janë patriotë në sport, ndërsa ne jemi në TikTok. Tek ne nuk funksionon kjo gjë. Thjesht kemi lindur të vuajmë si popull, ëndrrat tona ndalen gjithmonë në rrugë.

E kam fajin vetë, sepse duke u prezantuar si patriot me zemër që jam, nuk u hyra kurrë në zemër të huajve. “Mos u fut kështu i veshur në ring”, më thoshin promotorët e huaj. “Mos fol vetëm shqip”, më thoshin, sepse nëse arrin të të njohin të huajt, atëherë ia del. “Bëj kontratë me ne”. Unë jo, vetëm shqiptar, shqiptar, shqiptar. Kam menduar se si një shqiptar i vërtetë dhe i pa shitur do t’ia dilja, por pikërisht shqiptarët e mi u munduan të më pinin edhe gjakun; u kanë interesuar vetëm xhepat e tyre.

Jam 26 vjeç, në moshën më të mirë për boks, por është lodhur shpirti dhe nuk mundem më. Duhet ta pranoj, kam lindur në vendin e gabuar. Edhe pse i mërzitur, e di sa gabime kemi si shtet dhe si popull, por nuk mund t’ju dal kundër. Deri në vdekje shqiptar, patriot me zemër.

Zoti kaq kishte shkruar për mua. Do më mungoni shumë. Faleminderit për çdo të mirë dhe të keqe. Ju dua.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close