Përfaqësuesja U19 e Maqedonisë së Veriut sonte edhe zyrtarisht nis paraqitjen në Kampionatin Europian të volejbollit që do të zhvillohet në Shkup deri më 4 shtator.

Në përbërjen e Maqedonisë së Veriut është edhe tetovarja Adea Vela, e cila pritet të jetë volejbollistja më e re që do të merr pjesë në Europianin e moshave deri më 19 vjeç. E lindur me 13 janar të vitit 2007, Adea Vela me vetëm 15 vite ka fituar besimin për t’u grumbulluar me përfaqësuesen U19 dhe ajo duket e përgatitur për të pritur shansin e saj. Adea vjen nga një familje me traditë në sportin e volejbollit, ndërsa nëse përmendim faktin se është vajza e një legjende të volejbollit tetovar dhe jo vetëm, Pëllumb Vela, gjithçka bëhet e qartë për talentin e saj për volejboll. Adea ishte pjesë e përfaqësueses U17 të Maqedonisë së Veriut në Kampionatin Ballkanin në Vranje të Serbisë, ndërsa me U19 ishte pjesë e Ballkaniadës në Mioveni të Rumanisë.

Volejbollistet e reja të vendit me shumë motiv dhe përkushtim zhvilluan fazën përgatitore ku luajtën edhe disa ndeshje kontrolluese, duke paralajmëruar se do të japin gjithçka nga vetja për tu paraqitur sa më mirë në Europianin për volejbolliste të moshës nën 19 vjeç, ku marrin pjesë 12-të përfaqësuese.
Pritet seleksionuesi i Maqedonisë së Veriut, Stefan Paunoviq t’i japë shansë edhe Adeas për t’i tregut cilësitë e saja në këtë europian.
Maqedonia e Veriut sonte në orë. 20:30 zhvillon ndeshjen e parë të grupit “1”, kur përballet me Finlandën. Në fazën e grupeve që zhvillohet në palestrën “Boris Trajkovski” në Shkup, Maqedonia do të ndeshet edhe me Italinë, Slloveninë, Poloninë dhe Greqinë.

