SC Gjilani bëhet gati të përfaqësojë Kosovën në eliminatoret e UEFA Conference League, derisa duhet të zgjidhë çështjen e trajnerit.

Gjatë ditës së djeshme u zyrtarizua ndarja me Zekirija Ramadanin që firmosi me Ohod në Arabinë Saudite, derisa nga rradhët e Gjilanit komunikuan se deri në marrjen e një vendimi tjetër ekipin do ta drejtojë asistenti i deritashëm Alban Hyseni.
E në kushte kur Evropa, por edhe ambiciet për sezonin e ri kërkojnë një njeri me përvojë, në horizont shfaqet emri i Qatip Osmanit si opsion për bankinën e Gjilanit. Trajneri i trofeshëm me Shkëndijën e Tetovës për momentin është i lirë pas ndarjes me kuqezinjtë, derisa Gjilani besohet të jetë një sfidë joshëse për të. Osmani ka pasur oferta nga klube të Maqedonisë, ishte opsion edhe te Voska Sport, disa zëra nga Shqipëria gjithashtu e shohin si alternativë pikërisht tetovarin, derisa tashmë edhe skuadra e Gjilanit mund të shihet si zgjidhje interesante.
Nëse do ndodh ndonjë bashkëpunim eventual pritet të shihet në periudhën që pason, me drejtuesit e Gjilanit që kanë në dorë vendimin për një zgjidhje serioze për bankinën e tyre.

