Rivaliteti mes Maks Verstapenit dhe Lando Norris do të spostohet këtë fundjavë në pistën e “Interlagos”, ku do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Brazilit në Formula 1. Holandezi i “Red Bull”-it ka 47 pikë avantazh ndaj britanikut të “MekLaren”it.
Dy pilotët kanë qenë protagonistë të disa incidenteve në dy garat e fundit në Amerikë dhe Meksikë, ku secili ka marrë penalitete. Nga kjo situatë ka përfituar Ferrari, i shpejtë dhe që ka fituar në dy garat e fundit. Gjithsesi, nëse te “kokëkuqja” synojnë titullin për konstruktorë, Verstapen e Norris rivalizojnë për atë për pilotë.
“Dua që të kemi një garë të pastër në Brazil, për të evituar incidentet që kemi patur në dy garat e fundit. Uroj që ai të ndryshojë mënyrën e pilotimit, të jetë korrekt dhe të pranojë rivalitetin në pistë e jo t’i nxjerrë pilotët e tjerë jashtë saj. Nuk kemi përse shkojmë përtej limiteve”, u shpreh Norris.
Menjëherë ka ardhur replika e Maks Verstapenit.
“Lando është një pilot i mirë, por s’ka asnjë rival që të ma bëjë jetën ferr. Siç e kam thënë, nuk ndryshoj stilin e pilotimit dhe gjithçka do të vendoset në pistë”.