Një lajm i hidhur tronditi sot botën e futbollit ballkanik. Ish-trajneri i skuadrës shqiptare të Shkupit, Mladen Zhizhoviq, ka ndërruar jetë pasi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë një ndeshjeje, kanë raportuar mediat serbe.
Zhizhoviq e kishte marrë drejtimin e ekipit serb Radnicki vetëm para dhjetë ditësh. Gjatë një ndeshjeje kampionale, atij i është përkeqësuar gjendja në fushë dhe është dërguar menjëherë në spital me autoambulancë. Fatkeqësisht, vetëm njëzet minuta më vonë ka ardhur lajmi më i rëndë, trajneri nuk ia doli dot.
Mladen Zhizhoviq lindi në vitin 1980 dhe gjatë karrierës së tij si futbollist ka luajtur për disa klube të njohura në Ballkan, në periudhën nga viti 1997 deri më 2016. Vetëm një vit më vonë, ai nisi rrugëtimin e tij si trajner.
Në Maqedoni, Zhizhoviq drejtoi ekipin e Shkupit gjatë perudhës 2023–2024. Ai ka qenë gjithashtu trajner i Borac Banja Luka, me të cilin shkroi histori duke e kualifikuar klubin në garat evropiane.
