Bojku: Të vazhdojmë rrugën drejt sukseseve të reja

Struga Trim Lum synon të vazhdojë serinë e fitoreve në kampionat, ndërsa sot do të jetë mysafire në Gjorçe Petrov, ku do të përballet me ekipin e Makedonija GJ.P. Mesfushori Besmir Bojku thekson se skuadrën e tij e pret një ndeshje e vështirë.

“Sigurisht, na pret një ndeshje shumë e vështirë në transfertë, përballë një ekipi të mirë. Besoj se kemi bërë analizën e duhur për kundërshtarin dhe jam i bindur se, nëse i zbatojmë me përpikëri udhëzimet e trajnerit, në fund do të dalim me kokën lart dhe do të vazhdojmë rrugën drejt sukseseve të reja”, tha Besmir Bojku.

Struga Trim Lum pati një paraqitje të shkëlqyer në Gjorçe Petrov edhe në Kupën e Maqedonisë, ku triumfoi me rezultat të thellë 0–5 ndaj skuadrës vendase të Makedonija GJ.P.

“Kjo megjithatë do të jetë një ndeshje krejt tjetër, tani luhet për pikë”, shtoi Bojku.

Në xhiron e kaluar, Struga Trim Lum u rikthye te fitorja duke mposhtur Shkupin. Pas 11 javësh kampionat, skuadra strugane ndodhet në vendin e dytë me 26 pikë, një më pak se kryesuesi Vardari. Makedonija GJ.P, ndërkohë, renditet në vendin e tetë me 14 pikë të grumbulluara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close