KV Shkëndija fiton duelin me Lirinë e Zherovjanit

Elita e volejbollit vendor të shtunën solli duel interesant në Tetovë ku u përballën Shkëndija dhe Liria e Zherovjanit në një takim ku tetovarët patën mbështetje të madhe nga tribuna ku nga minuta e parë e deri në fund nuk u ndalën këngët e brohorimat e grupit të tifozëve “Ballistët”. Pas tre seteve dominim, me plotë meritë fitoren e morën kuqezinjtë që fituan me shifra maksimale 3:0 (25:16, 25:15, 25:18). Djemtë e trajnerit Durim Luma që në start vendosën autoritet dhe duke shtuar në kontinuitet diferencën në pikë fituan setin e parë me rezultat 25:16. Edhe vazhdimi solli imazhe të njejta në palestër dhe pas rezultatit 25:15 Shkëndija avansoi 2:0. Dominimi dhe rezultati i mundësoi trajnerit Durim Luma që në lojë të inkuadronte lojtarë më të ri, të cilët kishin rastin të ndjejnë paraqitjen në ekipin e seniorëve dhe Shkëndija edhe me formacion të tillë menaxhoi të mbyllë setin me rezultat 25:18 për fitore të ndeshjes me shifra maksimale 3:0.

Ky sukses dhe paraqitjet paraprake kanë shtuar entuziazmin te kuqezinjtë të cilët besojnë se në fund mund ta sjellin në Tetovë titullin kampion.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close