Pas pauzës trejavore në kampionat, Shkëndija e Tetovës rikthehet në fushë me përballjen ndaj Shkëndijës së Haraçinës, në kuadër të xhiros së nëntë të Ligës së Parë. Në prag të këtij dueli, mesfushori tetovar Arbin Zejnullai ka folur për përgatitjet e skuadrës, rikuperimin e futbollistëve dhe synimin për të marrë tri pikët, duke përcjellë edhe një mesazh respekti ndaj haraçinasve.

“Objektivi i klubit na detyron që në çdo ndeshje të kërkojmë fitoren. Kundërshtarin e kemi analizuar dhe duhet t’u përmbahemi detyrave që na jep stafi”, u shpreh Zejnullai, i cili foli edhe për përfitimet nga pauza, që i ka dhënë ekipit mundësinë të analizojë gabimet dhe të rikuperojë futbollistët e dëmtuar.
Duke folur për përballjen e së dielës në Çair, nga ora 13:00, Zejnullai përcolli një mesazh që shkon përtej garës sportive: “Respekt maksimal për vëllezërit tanë, më meritori le të fitojë ndeshjen.”
Një rivalitet që synohet të mbetet brenda fushës, me respekt të ndërsjellë mes skuadrave dhe tifozërive, në mënyrë që kjo përballje të zhvillohet në frymë sportive dhe me një atmosferë korrekte.

