Erjona Jonuzi e lënduar, por do të luaj për Maqedoninë

Erjona Jonuzi ka pranuar zyrtarisht ftesën për t’u bashkuar me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut në volejboll për femra, pavarësisht rrezikut të lartë për t’u lënduar sërish dhe për të rrezikuar karrierën e saj sportive. 

Volejbollistja 23-vjeçare është në muajin e pestë të rikuperimit pas një operacioni në ligamentin e përparmë të kryqëzuar (ACL) të gjurit të majtë, një dëmtim i rëndë i pësuar gjatë një ndeshjeje me ekipin e saj, VK Novo Mesto, në Sllovaki.

Sipas mjekëve, për një rikuperim të plotë nga ky lëndim kërkohen minimalisht 10 deri në 12 muaj, ndërkohë që në këtë fazë, rreziku për një dëmtim të ri vlerësohet deri në 90%.

Megjithatë, vendosmëria e Erjonës për të ndihmuar përfaqësuesen ka qenë më e fortë sesa frika e rrezikut. Gjatë kësaj periudhe ajo ka zhvilluar stërvitje intensive dhe është përkushtuar maksimalisht ndaj rikuperimit, për të qenë sa më e gatshme për sfidat që e presin.

E pyetur për vendimin e saj të guximshëm, Jonuzi tha:

“Jam e vetëdijshme për rrezikun, por jam në kontakt të vazhdueshëm me mjekët dhe fizioterapeutët. Më kanë thënë se rreziku për një lëndim të ri në të njëjtin gju është deri në 90%.

Megjithatë, inati dhe grinta që mbaj brenda vetes nuk më lejojnë të dorëzohem. Për sa kohë ndiej që mundem, nuk kam ndërmend të ndalem.

Maqedonia është vendi im dhe dua të jap kontributin tim në garat ndërkombëtare të CEV Ligës Evropiane të Argjendtë, për të shkuar sa më larg që mundemi.

Besoj se kjo sfidë do të më ndihmojë të rritem si sportiste dhe si person, duke forcuar karakterin tim luftarak, në sport dhe në jetë. Fundja, mundësitë për të përfaqësuar vendin janë të rralla, dhe çdo mungesë në këto gara nënkupton humbje të madhe në karrierën time sportive.” – u shpreh ajo. 

Përfaqësuesja e volejbollit për femra e Maqedonisë së Veriut aktualisht është në përgatitje për pjesëmarrjen në edicionin e dytë të CEV Ligës Evropiane të Argjendtë 2025, pas debutimit historik në vitin 2023.

Në këtë edicion, Maqedonia e Veriut ndodhet në një grup me Austrinë, Ishujt Faroe, Gjeorgjinë, Islandën, Izraelin, Letoninë, Luksemburgun dhe Zvicrën. Ndeshjet e fazës së grupeve pritet të zhvillohen gjatë muajve maj dhe qershor të vitit 2025. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close