Një rast i paprecedent ka ndodhur në përfaqësuesen U16 të basketbollit të Maqedonisë së Veriut. Edhe pse ka kaluar gjithë fazën përgatitore, në mënyrë të pakuptimtë dhe ka ndonjë sqarim logjik, seleksionuesi Andrej Apostolski Leçiç ka larguar nga përfaqësuesja shqiptarin e vetëm në këtë gjeneratë, Malik Thaçi. Bëhet fjalë për një prej talentëve më të mëdhenj të basketbollit në vend, anëtarë i BC Çair dhe koshashënuesi më i mirë i ligës për këtë gjeneratë, me një mesatare prej 41.3 pikëve për ndeshje. I riu Thaçi ishte shqiptari i vetëm i grumbulluar me ekipin përfaqësues U16, ndërsa lihet jashta përfaqësueses një ditë para nisjes së garave në Kampionatin Europian të Divisionit A për lojtarë nën 16 vjeç që mbahet në Shkup.

Shqiptarët në Federatën e Basketbollit në Maqedoninë e Veriut (FBMV) ankohen nga “diskriminim i egër” që po zbatohet ndaj tyre në këtë Federatë, që udhëhiqet nga Pero Antiq. Ata thonë se diskriminimi është më i theksuar ndaj basketbollistëve të rinj shqiptarë.
“Malik Thaçi i lindur ne vitin 2006 u mbajt nje muaj e gjysëm në përgaditje me reprezentacionin e MV U16 dhe nje ditë para fillimit te kampionatit në menyrë të sqarueshme, vetëm me një fjali pa ndonjë arsye u largua nga ekipi! Përndryshe Maliku sezonin që lam pas ishte koshashënuesi më i mirë në ligë me një mesatare mbi 40 pikë për ndeshje. Bile bile ai në një ndeshje ka shënuar 64 pikë”, janë shprehur për Almakos shqiptarë anonimë në FBMV.
Por rasti i Malikut nuk është i vetmi, kurse nënkryetari shqiptar nuk bën asgjë për t’i mbrojtur.
“Para 3 javëve e njejta gjë ndodhi edhe me Meti Thaçin. Rasti ishte identik, nje ditë para kampionatit u largua nga kombëtarja U20 pa ndonjë arsye serioze!
Se sa të pambrojtur janë sportistat tonë këtë e dëshmon më së miri Federata e basketbollit ku nacionalizmi është i theksuar. ‘Përfaqësuesi’ ynë shqiptar që është nënkryetar, Bajramali Saiti është vetëm figurë dhe shumë inferior në sjelljen e vendimeve sa i perket basketbollisteve shqiptar”, thonë disa shqiptarë në FBMV.
Pritet prononcim edhe nga nënkryetari Saiti në këtë temë.

