Një sezon me 20 gola në 31 ndeshje nuk kalon pa u vënë re. Sulmuesi anësor 21-vjeçar, Azis Jamini, ishte një nga emrat më të spikatur të Teteksit në edicionin e fundit të Ligës së Dytë, duke lënë pas vetes një sezon që meriton vëmendje më të madhe.

Pavarësisht se aktivizohet në kategorinë e dytë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, paraqitjet e Jaminit tregojnë se bëhet fjalë për një futbollist me potencial të konsiderueshëm. Shpejtësia, depërtimet nga krahu dhe instinkti për gol i mundësuan të mbyllë sezonin me plot 20 realizime në 31 paraqitje.
Rrugëtimi i tij në futbollin profesionist nisi herët. Vetëm 16-vjeç, Jamini firmosi kontratë profesionale me Renovën në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Më pas veshi fanellën e Arsimit të Çegranit, ndërsa karrierën e vazhdoi te Teteksi, ku pati shpërthimin më të madh deri më tani.
Përveç paraqitjeve në nivel klubesh, Jamini ka qenë pjesë e rregullt e përfaqësueseve të reja të Maqedonisë së Veriut nga grupmosha U14 deri në U18, duke realizuar 15 gola me ekipet kombëtare të moshave.
Në moshën 21-vjeçare, Azis Jamini duket se ka hyrë në fazën më të rëndësishme të karrierës së tij, ndërsa sezoni i fundit mund të jetë vetëm hapi i parë drejt sfidave edhe më të mëdha. Mbetet për tu parë nëse ndonjë skuadër me ambicie më serioze do të vendosë ta ofrojë lojtarin që tashmë pas vetes ka dëshmi edhe një super sezon në aspekt individual.

