Beni Osmanoski, me origjinë nga Oktisi i Strugës, i cili aktualisht jeton në Zvicër, do ta mbrojë titullin kampion botëror në disiplinën K1 në turneun e madh të kikboksit, i cili do të mbahet më 28 korrik në fushën e hendbollit në Strugë. Siç thotë ai, Strugën e ka zgjedhur për disa arsye, sepse është vendlindja e tij dhe sepse prej Strugës ka kujtime të bukura nga lufta e tij e parë në Maqedoni, në palestrën “Niko Nestor”, ku fitoi me nokaut.

“Gjithmonë kam dashur të luftoj në vendlindjen time, në Strugë. Të bëj një spektakël të madh. Kam luftuar në të gjithë botën në shumë turne të mëdha, kam arritur shumë dukr ardh nga një vend i vogël. Doja të bëja diçka në shtëpi, që njerëzit të kuptojnë se nuk duhet të jesh kush e di çka, por se me disiplinë, punë dhe përpjekje mund të arrish shumë dhe atëherë bota do të dëgjojë për ty” – shprehet Beni Osmanoski.
Turneu i cili do të ketë disa sfida preliminare në të cilat do të performojnë talentë të rinj, do të mbahet nën kujdesin e federatës profesionale zvicërane “Swiss Combat professional”. Ajo do të zgjedhë edhe kundërshtarin e Osmanoskit, i cili do ta sfidojë ate për titullin e botës. Me 27 korrik, një ditë para ndeshjes për titullin botëror të planifikuar për 28 korrik, do të bëhet prezantimi i pjesëmarrësve të turneut të kick boksit në Strugë.
“Është një nga federatat më të forta për lufta profesionale dhe amatore. Çdo muaj organizon turne ku zhvillohen 80-90 duele, që do të thotë se çdo turne ka 160 garues. Qëllimi im me turneun në Strugë është t’u mundësoj sportistëve nga Maqedonia të luftojnë në një skenë ku dikush do t’i vërë re. Në këtë manifestim do të ketë menaxherë dhe trajnerë zviceranë të cilët do t’i shikojnë dhe është një mundësi për tu dëshmuar dhe nisur karrierë ndërkombëtare, prandaj duhet të përgatiten mirë” thotë më tej Osmanoski.
35 vjeçari Beni Osmanoski është gjashtë herë kampion bote në disiplinën K1 deri në 83 kilogramë. Ai e mbrojti titullin për herë të fundit në tetor të vitit të kaluar. Ka fituar katër tituj evropianë, si dhe katër tituj të Zvicrës në ndeshje profesionale.

