Reprezentuesi shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Valon Ethemi ka shënuar gol në disfatën e skuadrës së tij Istanbulspor nga Ankaragyxhy me rezultatin 2:1. Miqtë kaluan të parët në avantazh me anë të Sarikajas, megjithatë për të rikthyer baraspeshën mendoi tetovari që shënoi në minutën e 55-të, duke përfituar nga një rrëmujë në zonën e kundërshtarëve dhe me kokë e dërgoi topin në rrjetë. Vazhdimi i takimit foli për miqtë të cilët gjetën rrjetën me Soven për rezultatin përfundimtar 2:1. Ky ishte goli i tretë për Ethemin në këtë sezon teksa është aktivizuar në shtatë ndeshje për Istanbulsporin duke u shndërruar në një nga futbollistët më të rëndësishëm në organikën e turqve. Ethemi është duke kaluar aktualisht një moment shumë të mirë pasi edhe në ndeshjen e fundit ishte protagonist për Istanbulsporin duke dhuruar asistin vendimtar në golin e Topallit.


