Valon Et’hemi me Istanbulsporin futen në Superligën e Turqisë

Trabzonspori, Gallatasaray, Fenerbahçe, Beshiktash dhe gjigantët tjerë të elitës së futbollit turk do të jenë realiteti i reprezentuesit të Maqedonisë së Veriut. Valon Et’hemi me Istanbulsporin e tij kanë siguruar inkuadrim në Superligën e Turqisë. Verdhezinjtë fituan 2:1 Bandirmasporin në finalen e play offit për inkuadrim në Superligë, ndërsa sulmuesi tetovar sërish ishte protagonist duke kontribuar me super asist në golin e parë, paralel me një paraqitje super pozitive gjatë 72 minutave sa ishte në lojë. Pikërisht Et’hemi ishte inspirues i zhbllokimit të rezultatit për Istanbulsporin kur në minutën e 33-të u tregua insistues për një top që dukej se kalon në fundore, para se të harkojë saktë drejt Ibrahim Yilmazit që me kokë shënoi për 1:0. Yilmaz ishte autor edhe i golit të dytë kur realizoi penalti për 2:1, pasi më herët Bandirmaspor me penalti barazoi përkohësisht rezultatin në 1:1. Valon Et’hemi është vlerësuar lartë për paraqitjen, duke qenë më i miri i takimit bashkë me autorin e dy golave Yilmaz, ndërsa e mbyll sezonin me efekt prej 7 golave dhe 10 asisteve. 

Menjëherë pas promovimit, Et’hemi s’ka kohë për festë, pasi të premten udhëton drejt Malagas së Spanjës ku do të bashkohet me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut për ndeshjen me Gjibraltarin në transfertë dhe më pas takimet me Gjeorgjinë dhe Gjibraltarin në Shkup.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close