Restaurant Boss dhe Taxi MSM të martën nga ora 21:00 në palestrën e sportit pranë Gjimnazit të Tetovës do të përballen në finalen e edicionit të parë të turneut në futboll të vogël, “Tetova 2023”.

Pas shumë emocioneve të dhuruara në netët paraprake, edicioni debutues i turneut në futboll të vogël “Tetova 2023” është gati për të pritur natën finale. E marta (27.06.2023) në palestrën e sportit pranë shkollës së mesme “Kiril Pejqinoviq” në Tetovë nga ora 20:00 sjell ndeshjen për vendin e tretë, si dhe finalen ku do të mësohet fituesi i turneut.
Ekipet Er Plast dhe Selltik nga ora 20:00 do të përballen në finalen e vogël për të diskutuar vendin e tretë të këtij turneu.
Më pas organizatori ka përgatitur ndeshje ekzebicionale ku për 20 minuta në terren do të performojnë veteranë të futbollit nga rajoni i Tetovës, Shkupit dhe Gostivarit.
Ndërkohë nga ora 21:00 në program do të jetë finalja e madhe ndërmjet Restaurant Boss dhe Taxi MSM, kur do të mësohet edhe skuadra triumfuese e turneut “Tetova 2023”.
Organizatorë apelojnë deri te publiku që me kohë të zënë vendet e tyre në tribunën e palestrës sportive te Gjimnazi i Tetovës, pasi duke ditur se ekipet finaliste në përbërje kanë lojtarë profesionistë të futbollit të vogël nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, pritet që interesimi për të ndjekur finalen do të jetë i madh.







