Kur lojtari më i mirë i skuadrës së mundur është portieri, atëherë lehtë dhe pa shumë filozofi mund të kuptohet se si kanë rrjedhur gjërat në një ndeshje futbolli. Struga Trim&Lum ka mundur pastër dhe sigurtë 2:0 Shkëndijën e Tetovës në duelin e luajtur në Strumicë ku kryesia tetovare kishte vendosur të jetë “vendase” e kësaj xhiroje.

Struga dominoi, krijoi shanse që në pjesën e parë, kur vetëm falë një super Zahovi rezultati mbeti 0:0. Shkëndija anemike, pa ide e forcë për të bërë diçka në këtë ndeshje. Disa gjysmëraste ishin tepër pak për të shpresuar të gjendet rrjeta e Strugës që dukej e qartë se çka don nga ky takim.
Një start i pakuptimtë i Cakes në fund të pjesës së parë la Shkëndijën me 10-të futbollistë në fushë, pasi arbitri Stavrev pa hamendje dha kartonin e kuq.
Epërsinë numerike Struga e shfrytëzoi që në start të pjesës së dytë kur një kundërsulm sjell gol në rrjetë të Zahovit me autor Hristijan Maleskin (50’).
Shkëndija nuk arriti të përgjigjet dhe me shumë hapsira prapa minuta e 70-të solli gol të Besart Ibraimit për 0:2, me kërçovarin që për respekt ndaj ish-skuadrës së tij nuk festoi.
Disfatë për Shkëndijën që merr një “shuplakë” serioze që në xhiron e katërt të sezonit ku pretendohet të kthehet titulli kampion në Tetovë.
Në anën tjetër Struga Trim&Lum duket shumë e determinuar në këtë fillim sezoni që fiton 4 nga 4 ndeshjet e luajtura dhe me 12 pikë maksimale mban kreun me gol-diferencë 8 gola të shënuar dhe 1 të pranuar.

