Shpëtim Duro kandidat kryesor për bankinën e Strugës!

Struga Trim&Lum e ka seriozisht punën e titullit kampion. Mungesa e fitores në dy ndeshjet e para të gjysmësezonit pranveror i kushtoi shkarkim trajnerit Srgjan Zaharievski, pasi kryesia pretendon si ky ishte momenti i duhur për ndryshim në drejtim të ruajtjes së shanseve për titullin kampion. Akoma lider të renditjes, struganët janë të lirë në fundjavë dhe fitorja eventuale e Shkupit përballë Akademia Pandevit zbret Strugën në vendin e dytë. Mirëpo mundësia për rikuperim të pozitës së liderit vjen vetëm një javë më pas kur Struga pret Shkupin në fushë të vet.
Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e klubit kërkojnë të mbajnë lartë moralin e ekipit dhe ndryshimi në bankinë sipas tyre ishte detyrim.
Sportmania nga burime të saja mëson se ka disa kandidatë për të zevendësuar Zaharievskin, mirëpo favorit duket Shpëtim Duro. Tekniku nga Tirana është një prej trajnerëve më të mirë nga Shqipëria, mjeshtër për ndërtimin e skuadrave fitimtare dhe mbi të gjitha profesionist me përvojë të madhe në garim për kreun e tabelës. Angazhimi i fundit i Duros ishte te Egnatia, më herët ka drejtuar Laçin e Partizanin, në vitin 2011 fitonte titullin me Skënderbeun, derisa në dy periudha ka drejtuar Shkëndijën e Tetovës.
Të martën pritet të ndodh takimi i drejtuesve të Strugës dhe Shpëtim Duros, ndërsa nëse gjërat shkojnë si duhet, së shpejti pritet tiranasi të zyrtarizohet në stolin e liderëve të elitës së futbollit në Maqedoninë e Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close