Shkëndija kërkon shtyrje të ndeshjes me Skopjen, FFM pranon kërkesën e tetovarëve

Fundjava sjell startin e sezonit të ri në elitën e futbollit vendor. Shkëndija e Tetovës duelin e parë duhej ta luajë si vendase me Skopjen, ku kuqezinjtë do të nisnin vuajtjen e dënimit me zhvillimin e dy ndeshjeve larg stadiumit të tyre, për shkak të ngjarjeve në duelin me Shkupin sezonin e shkuar. 

Për shkak të angazhimeve në eliminatoret e UEFA Conference League, kryesia e Shkëndijës ka kërkuar që ndeshja me Skopjen e paraparë për këtë fundjavë të shtyhet. Komisioni për gara pranë FFM-së ka pranuar kërkesën e arsyetuar në nevojën e hapsirës për tu përgatitur për ndeshjen me AIK-un e Stokholmit që luhet të enjten e ardhshme.

Kështu takimi Shkëndija-Skopje është caktuar të luhet më 17 gusht (e mërkurë), ndërsa Shkëndija duhet të përcaktohet për terrenin ku do të luajë si vendas.

Vlen të ceket se përveç dy ndeshjeve të para si vendas kur duhet të vuajnë pezullimin e stadiumit të Tetovës, drejtuesit e Shkëndijës me gjasë duhet të vendosin për një stadium alternativë për një periudhë më të gjatë kohore, pasi terreni i stadiumit të qytetit edhe një kohë duket i papërgatitur për zhvillim të ndeshjeve, pasi nga Shkëndija kanë vendosur ta rinovojnë të njejtin. Tapeti është hequr komplet, duke mbjellë bar të ri, i cili po zhvillohet më ngadalë se sa që u mendua në fillim dhe Shkëndija rezikon vjeshtën ta “luajë” jashta Tetovës jo për pezullim, por për shkak të terrenit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close