Dalja nga Europa cilësohet e pafat për Shkëndijën e Tetovës që përfundon garat pa u mundur asnjëherë në 6 takime të zhvilluara. Kuqezinjtë mbrëmë barazuan 1:1 me AIK-un e Suedisë, njejtë si në ndeshjen e parë në Stokholm dhe pasi edhe vazhdimet nuk sollën ndryshim, penaltitë vendosën ekipin që shkoi në play-off të Conference League. Dita, Doriev dhe Hasani humbën penaltitë dhe Shkëndija pa veten jashta Europës (3:2 për miqtë rezultati me penalti), ku më herët eliminoi Araratin e Armenisë dhe Valmierën e Letonisë. Pas ndeshjes dëshprimi ka qenë evident te kuqezinjtë që vetëm për mungesë fati dolën nga Europa.

“Jam krenar me djemtë dhe atë që kemi treguar. Kemi merituar të fitojmë dhe të kalojmë raundin, por futbolli kështu e ka, fati s’ishte me ne. Penaltitë janë lotari, fatkeqësisht, kësaj rradhe ne ishim pa fat”, është shprehur pas ndeshjes trajneri i Shkëndijës, Artim Shaqiri.
Tekniku strugan i tetovarëve shtoi se te Shkëndija ndërtohet një ekip i ri që do të duhet të fitojë në afat të gjatë kohor.
“Kemi luajtur përballë një ekipi të fortë si AIK-u dhe kemi qenë të barabartë. Ndërtojmë një Shkëndijë për shtigje të gjata. Më vjen keq për futbollistët që janë të dëshpëruar pas këtij eliminimi. Hasani është i mërzitur ps penaltisë së humbur, mirëpo jeta vazhdon dhe patjetër të tregohemi të fortë”, shtoi Artim Shaqiri.
Pas mbylljes së garave në Europë, Shkëndija kthen vëmendjen ka skena vendore kur në fundjavë ndeshet me Sileksin në Strugë në kuadër të xhiros së dytë të Ligës së Parë (duelin e xhiros së parë me Skopjen tetovarët e shtynë shkaku i angazhimeve në Europë, ndërsa me Sileksin luajnë në Strugë për shkak se vuajnë pezullimin e stadiumit të tyre me dy ndeshje shkaku i incidentit të sezonit të shkuar kundër Shkupit).

