Njeriu i fuqishëm i federatës evropiane, Alexander Ceferin, i qëndron në deklaratat e tij në librin “Messianico” të gazetarëve Sebastien Fest dhe Alexandre Julliard, të cilët bënë një hulumtim të madh për jetën dhe karrierën futbollistike të Lionel Messit.

Sa i përket gjestit të famshëm, që portieri i Aston Villa bëri kur mori çmimin si më i miri në pozicionin e tij në Botërorin e Katarit dhe e vendosi atë përpara organeve të tij gjenitale, presidenti i UEFA-s beson se ishte “i neveritshëm”.
“Nuk arrij ta kuptoj pse po tallet me Mbappe. Kjo nuk është sportivitet. Kjo nuk është e mundur. Ju fituat Kupën e Botës! Trego pak madhështi, trego se nuk je primitiv. Mund të jesh një portier perfekt, por nëse nuk je njeri i mirë…”, ka thënë konkretisht ai.
Përveç kësaj, ai shprehu edhe admirimin e tij absolut për paraqitjet e Messit dhe deklaroi se “pa të, Argjentina nuk do të kishte arritur as në çerekfinale”.

