Mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:40 në Tetovë, policia ka arrestuar dy persona, 34-vjeçarin D.D. nga Prilepi dhe 37-vjeçarin I.A. nga Manastiri, nën dyshimin për sulm fizik. Ata janë denoncuar nga futbollisti i FC Struga Trim & Lum, Marjan Radeski.

Sipas njoftimit nga Ministria e Punëve të Brendshme, të dy personat janë ndaluar në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, do të ngrihen kallëzimet përkatëse penale.
“Sipas kallëzimit, rreth orës 18:00 pranë stadiumit të qytetit në Tetovë, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes mes KF Shkëndija dhe FC Struga Trim & Lum, Radeski është sulmuar fizikisht brenda një veture me targa të Prilepit. Ai kishte parë D.D., me të cilin njihej nga më parë, dhe ky i fundit e kishte ftuar të hynte në makinë ku ndodhej edhe I.A., pas së cilës ata e kanë sulmuar fizikisht”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

