Monza ambicioze. Skuadra që këtë sezon arriti për herë të perë në Serie A nuk po ndalet në merkato. Pasi morën Ranochian, Sensin, Andrea Carbonin dhe Cragnon, këtë herë drejtori i klubit Adriano Galliani ka arritur marrëveshjen me Matteo Pessina-n.

5 milionë euro do të përfundojnë në arkat e Atalantës, me gjysmën e shumës që do të kalojë te Milani, që ka ruajtur 50% të kartonit të lojtarit në operacionin e kalimit të Contit në Milanello (2017).Mesfushori sulmues, i cili ishte pjesë e Kombëtares së Italisë në Euro 2020, do të rikthehet për të veshur fanellën bardhekuq pasi është rritur me të rinjtë e Monzas.
Vizitat mjekësore janë planifikuar për të mërkurën. Galliani nuk mjaftohet me kaq, pasi po tenton të bindë edhe Mauro Icardin për t’u rikthyer në Serie A. Vera është e gjatë akoma dhe te Monza prurjet e merkatos nuk kanë mbaruar.

