Aleksander Rosing-Lelesiit mund të bashkohet me Milanin në këtë sesion të merkatos (dimërore). Lajmi është zbuluar nga gazeta norvegjeze “Nettavisen”, sipas së cilës klubi kuqezi është i gatshëm të investojë rreth 40 milionë korona norvegjeze (afërsisht 3.4 milionë euro) për talentin e lindur në vitin 2007.

18-vjeçari, një sulmues anësor, është aktualisht i lidhur me Lillestrøm SK me kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2026. Ideja e Milanit është ta përfshijë fillimisht në skuadrën U-23, për ta afruar më pas gradualisht me ekipin e parë të drejtuar nga Konseisao.
Në kuadër të lëvizjeve të tjera të merkatos, Milani ka shitur sulmuesin Samuele Longo, i lindur në vitin 1992, te Antekuera, skuadër spanjolle që luan në “Primera Federacion” (ekuivalenti i Serie C lokale). Sulmuesi ka firmosur kontratë deri në qershor, me opsionin për ta zgjatur edhe për sezonin e ardhshëm.
Presidenti i Milanit, Paolo Skaroni, foli për strategjinë e merkatos së klubit.
“Ualker sjell më shumë personalitet, ‘palmares’ i tij flet vetë. Është një lojtar që dëshiron të fitojë dhe do të shtojë forcë e pasion te Milani ynë. Merkatoja e janarit është gjithmonë e vështirë, nuk jam i sigurt nëse do t’ia dalim të kryejmë ndonjë operacion të madh këtë muaj. Jemi shumë të kujdesshëm në ndërtimin e një Milani të fortë, jo vetëm jashtë kampionatit, ku fituam Superkupën si ‘outsider’. Në Serie A nuk kemi pasur gjithmonë paraqitje të nivelit që na takon,” tha mes tjerash Skaroni.

