Lebron James rinovon edhe dy sezone të tjera me Lakers, do të arkëtojë 104 milionë dollarë

LeBron James rinovon edhe për dy vite me Los Angeles Lakers.

Fenomeni 39-vjeçar, i cili ishte lojtar i lirë, do të fitojë në total 104 milionë dollarë, paga maksimale. Ai do të ketë në dispozicion një opsion rinovimi në fund të sezonit të ardhshëm të cilin mund ta ushtrojë, por nuk mund të shkëmbehet. LeBron, një nga lojtarët më të mirë në historinë e basketbollit, ka luajtur për Lakers që nga viti 2018 dhe ka qendrën e tij të biznesit në “qytetin e engjëjve”. Nuk kishte dyshime për faktin se ai do të rinovonte, të panjohura ishin kohëzgjatja dhe shifrat e kontratës. James do të luajë të paktën deri në moshën 41-vjeçare.

 Madje, nga sezoni i ri 2024-2025, ai do të ketë mundësi të luajë së bashku me djalin e tij të madh, Bronny, i zgjedhur nga Lakers në “draft”. Zgjedhja e djalit të tij u bë nga ekskluziviteti nën drejtimin e tij, ose të paktën në harmoni me kampionin dhe imazhin e tij. Gjithsesi, tashmë marrëveshja u krye.

LeBron do të mbushë 40 vjeç më 30 dhjetor.

Ai ka fituar 4 tituj NBA, dy me Miami Heat, një me Cleveland dhe një me Lakers në 2020-ën. Ai është basketbollisti i vetëm që ka kaluar pragun e 40,000 pikëve të shënuara në NBA, 20 herë pjesëmarrës në “All Star Game”, më shumë se kushdo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close