Pak më shumë se dy muaj ka zgjatur aventura e Jyrgen Klinsmann te Herta e Berlinit. Trajneri gjerman i cili me 27 nëntor mori vendin e Ante Coviq, ka njoftuar sot dorëheqjen nga posti i trajnerit të skuadrës, ku në 10 javë arriti 3 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje.

Ndryshe Klinsmann do të kthehet në rolin e tij të dikurshëm si pjesëtar i këshillit administrativ.
“Një periudhë emocionuese për mua, pasi bashkë me stafin tim kishim pranuar sfidën për të ndihmuar skuadrën dhe në pak kohë kemi bërë gjëra pozitive. Jam i bindur që Herta e Berlinit do të shpëtojë, por unë kam nevojë për besim dhe pasi reflektova gjatë, vendosa të jap dorëheqjen nga posti i trajnerit dhe të rikthehem në rolin e anëtarit të Këshillit të Administrimit”, shkroi Klinsmann në rrjetet sociale.
Ish-trajneri i Gjermanisë, Bayernit të Mynihut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës lë Hertën e Berlinit në vendin e 14-të me plot 6 pikë larg zonës së rënies dhe me një përforcim në merkaton e janarit si sulmuesi Piatek i ardhur nga Milani.

