Te Bajern Munihu po rritet ankthi për mundësinë e humbjes së një prej yjeve të vet pa asnjë kompensim financiar (pra, falas). Kontrata e mesfushorit gjerman me bavarezët skadon në fund të këtij sezoni. Ai nuk ka marrë ende një vendim të qartë, duke nxitur spekulimet për një largim të mundshëm.

Sipas raportimeve nga Gjermania, gjigantët bavarezë e kanë vendosur si prioritet rinovimin e kontratës së Kimmich, drejtori sportiv Maks Eberl po punon intensivisht për këtë çështje. Megjithatë, Barcelona dhe Manchester City janë duke ndjekur nga afër situatën për të përfituar nga mundësia e nënshkrimit të një lojtari të nivelit botëror, pa kosto transferimi.
Burime të “Sky Sport” tregojnë se rinovimi me Bajernin është rruga më e mundshme, por e ardhmja e Kimih mbetet ende e hapur për opsione të tjera.
Një tjetër klub i madh, që është lidhur me Kimih, është Liverpulli. Megjithatë, raportimet sugjerojnë se skuadra nga “Anfield” po kërkon profile të tjera, pasi e konsideron mesfushën e saj të mbuluar mirë.
Barcelona, prej kohësh, i ka ndjekur nga afër zhvillimet rreth Kimih. Tashmë, situata e tij kontraktuale e bën një objektiv shumë tërheqës. Gjithashtu, ish-trajneri i tij Hansi Flik e njeh shumë mirë dhe mund të ndikojë pozitivisht në rast të një transferimi te Barça.
Tani për tani, të gjitha opsionet mbeten të hapura, teksa Bajerni duhet të lëvizë shpejt për të siguruar rinovimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm në skuadër.

