Jeton Beqiri: Më shqetëson fakti se shumë lehtë pranojmë gola 

Trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri vlerëson me nota pozitive fazën përgatitore, derisa shton se ditët e mbetura deri te ndeshja e parë në Europë duhet shfrytëzuar për të punuar në përmirësim të disa negativiteteve të shfaqura në momente të caktuara. 

Kuqezinjtë kanë mbyllur fazën kryesore të përgatitjeve verore gjatë së cilës zhvilluan edhe 5 ndeshje kontrolluese. Përmes stërvitjeve e ndeshjeve testuese stafi teknik ka kërkuar formën optimale. 

Të mërkurën në Pogradec, Shkëndija zhvilloi miqësoren e fundit të kësaj faze, kur në një ndeshje interesante me Partizanin e Tiranës në fund u mundën me shifrat 2:1. 

“Një ndeshje e mirë do të thoja nga të dyja ekipet. Te problemi qëndron në ate se shfaqëm probleme në mbrojtje, konkretisht pranuam gola të evitueshëm, kurse nga ana tjetër nuk realizojmë nga situata të pastërta. Nuk është se nuk jam i kënaqur me lojën në përgjithësi, luajtëm, krijuam, por gabuam si në mbrojte, ashtu edhe në sulm. Më shqetëson fakti se shumë lehtë pranojmë gola dhe në këtë aspekt duhet të punojmë. Gjatë kësaj jave që kemi në dispozicion të përmirësohemi dhe ndoshta është mirë që na ndodh tani, e mos të na ndodh në ndeshje zyrtare”, thotë trajneri Jeton Beqiri në komentin e tij pas ndeshjes me Partizanin. 

“Mendoj se jemi të gatshëm dhe ekipi ka punuar mirë. Besoj ekipi është gati të jep maksimumin. Pak problematike është situata se kundërshtari totalisht ka ndryshuar skuadrën, ekipi ka ofruar shumë futbollistë, ka ndryshuar edhe trajnerin. Por ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin, të kërkojmë lojën tonë dhe të mundohemi të nxjerrim rezultat pozitiv në ndeshjen e parë”, përfundoi traineri Beqiri.

Shkëndija ndeshjen e parë eliminatore të kësaj vere në Conference League e luan ndaj Noah në transfertë në Armeni me 11 korrik. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close