Të dielën në Strumicë, Shkëndija si ”vendase” përballet me Struga Trim&Lum në duelin e xhiros së katërt të Ligës së Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut.

Pas barazimit me Sileksin në duelin e parë, Shkëndija fitoi dy takimet e rradhës me Skopjen dhe Akademia Pandevin dhe tashmë kuqezinjtë kërkojnë suksesin e rradhës përballë Strugës që ka start perfekt me tre fitore nga aq ndeshje me me 9-të pikë maksimale mban kreun e renditjes.
“Ndeshja ndaj Strugës do të jetë ndeshje e vështirë pasi që Struga këtë vit ka skuadër tepër cilësore dhe startin e sezonit e kanë të suksesshëm pasi që nga 3 ndeshje kanë regjistruar 3 fitore. Por edhe ne jemi në formë të mirë, e këtë e dëshmuam në ndeshjen e fundit ndaj Akademia Pandevit. Edhe pse ndeshja nuk luhet në Tetovë, mendoj se ne jemi favorit dhe me përkushtim maksimal në fushë besoj se do të arrijmë të fitojmë tre pikët dhe të regjistrojmë fitoren e tretë radhazi”, është shprehur pë faqen zyrtare të klubit mesfushori Florent Ramadani, që sot ka festuar ditëlindjen e tij të 22-të.
Dueli Shkëndija-Struga Trim&Lum luhet të dielën nga ora 16:00 te Qendra Sportive “Pandev” në Strumicë.

