Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut, Ezgjan Alioski nga sot edhe zyrtarisht është futbollist i ri i gjigantit turk Fenerbahçe, duke u bërë kështu futbollisti i dytë nga vendi që do të luajë me klubin nga Stambolli, pas Elif Elmasit që ishte pjesë gjatë periudhës 2017-2019.

Alioski transferohet te Fenerbahçe në formë huazimi një vjeçar nga Al Ahli i Arabisë Saudite, ndërsa Fenerbahçe sonte promovoi mbrojtësin e majtë i cili pas një aventure një vjeçare në tokën arabe, rikthehet sërish në skenën europiane.
“Mezi e prisja këtë moment, të them të drejtën dhe tani nuk mund t’i përshkruaj ndjenjat. Ndihem mirë, jam i emocionuar që vij në këtë klub. Kur dëgjova për herë të parë se Fenerbahçe ishte e interesuar, më bëri përshtypje sepse u hap mundësia për të luajtur për klubin më të madh në Turqi”, tha fillimisht Alioski.
Reprezentuesi i vendit ka thënë se do të bëjë të pamundurën për t’i përmbushur pritjet e drejtuesve dhe publikut, ndërsa është veçanërisht i emocionuar nga atmosfera në stadium nga tifozët e klubit, të cilën dëshiron ta ndjejë sa më shpejt, pasi deri më tani ka parë vetëm video klipe të atmosferës impozante që dhurohet në “Shukru Saraçollu”.
“E kam pritur këtë moment dhe gjëja më e rëndësishme është që tifozët të jenë pas teje dhe të besojnë në ty. Me ta ndihesh sikur ke një futbollist më shumë në fushë dhe tifozët e Fenerit janë më të mëdhenjtë dhe më të mirët në Turqi. Dua ta ndjej atë atmosferë, dua ta shoh atë mbështetje. Kam parë shumë video, e di që tifozët janë shumë të apasionuar dhe shpresoj të jem në nivelin e dëshiruar. Mezi pres të luaj pranë tyre dhe shpresoj të arrijmë trofetë. Është kënaqësi e madhe të jem pjesë e Fenerbahçes”, ka shtuar Alioski.

