Burime ekskluzive të portalit Sportmania.al mësojnë se KF Besa Dobërdoll është shumë pranë emërimit të Gorazd Mihajlov si trajner të ri të skuadrës. Palët thuhet se kanë rënë dakord mbi shumicën e pikave të kontratës, dhe mbetet vetëm çështje kohe deri në zyrtarizimin e marrëveshjes.

Mihajlov, 50-vjeçar, nisi sezonin aktual si trajner i Vardarit, përpara se të marrë drejtimin e AP Brera, ku qëndroi deri para pak ditësh. Përvoja e tij e pasur përfshin drejtimin e klubeve si Sileksi, Teteksi, Boreci, Pelisteri dhe Napredoku, duke e bërë atë një trajner të njohur në futbollin maqedonas.
Besa Dobërdoll ishte në kërkim të një zgjidhjeje të re pas ndërprerjes së papritur të bashkëpunimit me Boban Babunskin, i cili u emërua trajner gjatë pushimit dimëror, por sot klubi konfirmoi ndarjen për shkak të disa dallimeve në qëndrime mes palëve.
Me Mihajlov në prag të zyrtarizimit, Besa duket e vendosur të nisë fazën përgatitore më 10 janar me një trajner të ri dhe me shpresë për të përmbushur objektivat e saj për pjesën pranverore të sezonit.

