
Thiago Alcantara befasoi duke u tërhequr nga futbolli në moshën 33-vjeçare. Me origjinë nga Brazili, i lindur në Itali, i rritur e i formuar në Spanjë dhe i plotësuar në Gjermani e Angli, mesfushori iberik, një ndër më të mirët e brezit të tij, fitoi gjithçka.
Barcelona, Bayern Munich dhe Liverpool ishin tri skuadrat e karrierës, ndërkohë që mund të rikthehet aty ku e nisi. Drejtimin e katalanasve e ka marrë një gjerman, Hansi Flick, i cili i ka dërguar një ftesë të parefuzueshme.
“Thiago, rikthehu te Barcelona si zëvendësi im”, janë fjalët që ish-trajneri i Bayernit dhe kombëtaren gjermane i ka drejtuar mesfushorit. Për të cilin ka një admirim dhe vlerësim të veçantë që prej kohës kur punuan e fituan së bashku në Bavari.
Sigurisht që emërimi i Thiagos si zv trajner do e ndihmonte shumë për t’u përshtatur sa më shpejt me realitetin e ri katalanas. Por edhe për ta thjeshtuar transmetimin e ideve të tij tek ekipi.
Shtypi sportiv spanjoll shkruan se në orët e ardhshme pritet përgjigja e 33-vjeçarit, i cili intrigohet shumë nga kjo mundësi. Aq më tepër tashmë që e mbylli me futbollin aktiv.
534 ndeshje zyrtare, 50 gola dhe 27 trofe janë statistikat e karrierës brilante të Thiagos, të cilin Flick shpreson ta ketë si krah të djathtë në aventurën spanjolle.