Trajneri i Atletiko Madridit, Diego Simeone ka përmendur sjelljen e Tibo Kurtua-s mes skenave kaotike që u shkaktuan mbrëmë (e diel) në ‘Estadio Metropolitano’.

Atletiko Madridi arriti që të marë një pikë në një derbi mjaft të tensionuar pasi Anhel Korrea realizoi në minutën e 95-të për t’i dhënë fund një ‘natë të çmendur’ në kryeqytetin e Spanjës.
Rezultati final ishte vetëm një histori e kësaj ndeshje e cila në minutën e 70-të ishte ndërprerë përkohësisht nga gjyqtari. Që të dy ekipet u urdhëruan që të largohen nga fusha dhe sigurimi i stadiumit u ballafaqua me tifozët në përpjekje për të mbajtur nën kontroll zemërimin e tifozëve të Atletiko Madrid.
Ish-lojtari i Atletikos, Kurtua, ishte objektivi i tyre pasi ai duket se kishte festuar para tyre golin që i dha avantazhin Real Madridit. Kjo shkaktoi që situata të eskalonte dhe tifozët hodhën çakmakë dhe gjësende në fushë në drejtim të reprezentuesit belg. Kjo e kishte detyruar Simeonen që të futej në fushë në përpjekje për ta qetësuar turmën, por ai gjithashtu ka thënë se Kurtua duhet të marrë përgjegjësi për veprimet e tij.
“Ne të gjithë duhet të ndihmojmë. Nëse i provokojmë njerëzit, ata zemërohen. Ju mund të festoni një gol, por jo duke shikuar në tribuna, duke i provokuar ata dhe duke bërë gjeste. Nuk justifikohet as ajo që ndodhi më pas”, ka thënë tekniku argjentinas.

