Ish-futbollisti i Shkëndijës, Erald Çinari, ka bërë debutimin me Jeju SK FC në Korenë e Jugut, pikërisht në një miqësore prestigjioze ndaj Bayern Munich, e zhvilluar në kuadër të Audi Football Summit. Kampionët e Gjermanisë fituan 2:1, ndërsa sulmuesi shqiptar ishte pjesë e formacionit të skuadrës koreane dhe pati rastin të përballej me një nga klubet më të mëdha në botë.

Në një bisedë për Sportmania, Çinari e komentoi me humor këtë përvojë: “Unë ndjek tre skuadra evropiane, Real Madridin, Chelsean dhe Bayernin. Me Chelsean u përballa kur luaja me Noan në Conference League, ndërsa tani edhe me Bayernin. Më ka mbetur vetëm Real Madridi.”
Më pas ai foli seriozisht për aventurën e re: “Është një kënaqësi e madhe të luash në një ndeshje të tillë. Jo vetëm kjo sfidë, por edhe mënyra si jam pritur, organizimi dhe kushtet që ofron klubi janë në nivelin më të lartë. Jam vërtet i impresionuar me gjithçka që kam gjetur këtu dhe shumë i lumtur për këtë hap në karrierë.”

