Në sezonin e tij të tretë në Superligën e Basketbollit vendor, Çairi ka regjistruar fitoren më të madhe në historinë e tij si klub.
Ekipi i drejtuar nga trajneri Erhan Ramadani sonte në terren vendas mposhti kampionin në fuqi, MZT Skopjen me rezultatin 95:94 pas kohës shtesë.
Ndeshja ishte e ekuilibruar, me ekipin e Çairit i cili shumicën e kohës kishte epërsi, megjithatë në fund miqtë arritën që të barazojnë shifrat. Në këtë mënyrë fituesi u mësua gjatë kohës shtesë, ku vendasit e deshtën më shumë fitoren dhe triumfuan me rezultatin përfundimtar 95:94.
Më meritorë për triumfin e vendasve ishte Mofit me 31 pikë të realizuara, ndërsa tek mysafirët Krstevski shënoi 21 pikë por që nuk mjaftuan për të evituar disfatën.