Besart Ibraimi të dielën për herë të parë do të luaj ndaj ish skuadrës së tij, Shkëndijës, me të cilën skuadër kishte arritur sukseset më të mëdha në karrierë. Struga Trim Lum do të jetë mysafire e Shkëndijës për xhiron e katërt në Ligën e Parë, ndërsa para kësaj ndeshje për kanalin zyrtarë të struganëve ka folur Besart Ibraimi.

“E respektojmë Shkëndijën, të gjithë ne i dimë vlerat e kësaj skuadre. Për mua personalisht do të jetë një ndeshje shumë emocionale, pasi të kalosh 6 vitet më të mira të karrierës dhe tani ta kesh kundërshtarë, vërtetë nuk është e lehtë. Megjithatë futbolli sjell edhe këto gjëra, ndërsa ne jemi profesionistë dhe si i tillë tashmë do mundohem të jap më të mirën për klubin ku jam aktualisht, pra Struga Trim Lum” – është shprehur për faqen zyrtare të klubit strugan bomberi, Besart Ibraimi, i cili pavarësisht se me Strugën e tij renditen në pozitën e parë, ai rolin e favoritit ja lë ish skuadrës së tij, Shkëndijës.
“Aktualisht neve jemi në vend të parë, por megjithatë Shkëndija është favorite në këtë përballje, edhe pse premtojmë se si skuadër do të japim maksimumin që edhe nga kjo ndeshje të dalim të pamposhtur” – ka përfunduar Ibraimi.

