Paraqitje tjetër pozitive e sulmuesit tetovarë, Alban Taipi. 19-të vjeçari të dielën zhvilloi paraqitjen e dytë në Hungari me ekipin Haladas, ndërsa ndihmoi ekipin të shmangte disfatën në duelin me Soroksar. Haladas barazoi 1:1 në kuadër të xhiros së 6-të në kategorinë e dytë të futbollit hungarez.

Haladas ishte në negativë 0:1, në minutën e 61-të në lojë hidhet ish-sulmuesi i Renovës, i cili vetëm disa sekonda më vonë në kontaktin e parë me topin prodhon një depërtim në krahun e djathtë para se të asistojë saktë para portës ku Boshnjak realizon për barazim 1:1. Në fund ky do të ishte momenti vendimtar që Haladas të dilte me një pikë nga ky duel, duke ndërprerë serinë negative prej dy disfatave me rradhë.
Raportimet nga Hungaria vlerësojnë paraqitjen e Alban Taipit, duke e cilësuar si njeriu që ndryshoi kahjen e ndeshjes, gjallëroi lojën e ekipit të tij, ndërsa me asistin e dhënë në mënyrë direkte ndikoi në epilogun final.
Kjo paraqitje pritet që Taipit t’i ofrojë më shumë hapsira në formacion, pasi si lojtar i ofruar në fund të merkatos kryesisht shansin e pret nga pankina, ndërsa me ritmin e djeshëm pritet të gjendet së shpejti në formacionin bazë të Szombathelyi.

