Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë. Duke nisur nga kjo shprehje latine, profesori i Edukatës Fizike, Mensur Hyseni nuk ndahet në asnjë moment nga aktivitetet pasi është një i apasionuar i madh i sportit në përgjithësi dhe fitnesit në veçanti. Pronar i Qendrës për Fintes “Profa” në qytetin e Preshevës, Mensur Hyseni çdo ditë nga të paktën tre orë të kohës së tij i kalon me ushtrime intensive. Dhe jo vetëm se e don këtë aktivitet, por Hyseni në fakt duket i obsesionuar pas një discipline interesante që mund t’i sjell futje edhe në Librin e rekordeve “Guines”.

Mensuri 37-të vjeçar tashmë 20 vite merret rregullisht me me artet marciale, ndërsa synon të thyej rekordet dhe të futet në Librin Guines në diciplinën e forcës, krah-përkulje në paralele me 27.5 kilogramë peshë të shtuar në trup.
Është një diciplinë interesante që sfidë në vete ka faktin se përveç ngritjes së peshës trupore me krahë, në shpinë shtohet një çantë me peshë shtesë prej 27.5 kilogramëve. Qëllimi që duhet arritur është realizimi i 54 krah-përkuljeve në harkun kohor prej 1 minute, sepse këtë rekord momental e mban sportisti nga Bjellorusia, Joahem Lov, i cili ka arritur 53 krah përkulje brenda një minute.
Kjo arritje i është fiksuar në kokë Mensur Hysenit, që me ekipin e tij punon intenzivisht në përgatitjen e tij fizike sa më të mirë të mundshme, ndërsa në momentin që do të vlerësojë se është koha, do të nis organizimi i tentimit të thyerjes së rekordit ‘Gunies’ në këtë diciplinë.

