Keyla Alioski, një tjetër emër nga familja e Ezgjan Alioskit në përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut

Familja Alioski vazhdon të jetë e pranishme në futboll, këtë herë edhe në konkurrencën e femrave. Keyla Alioski, 16-vjeçarja nga Zvicra, është përfshirë në listën e përfaqësueses së Maqedonisë U17 për kualifikimet e ardhshme të Kampionatit Evropian.

Ezgjan Alioski, ndër lojtarët më të suksesshëm e më të njohur te vendit, e mban fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut që nga viti 2013, ndërsa tani familja e tij do të përfaqësohet edhe në futbollin e femrave.

Keyla Alioski është vajza e Ajan Alioskit, kushëririt të Ezgjan Alioskit, i cili në të kaluarën ka qenë gjithashtu futbollist në Zvicër.

Keyla Alioski është pjesë e ekipit AFF-FFV, një strukturë e specializuar në zhvillimin dhe përgatitjen e talenteve të reja të futbollit në kantonin e Friburgut, në Zvicër.

AFF-FFV bashkon talentet më premtuese të rajonit në ekipe të kategorive të reja dhe ka partneritet me klubin e njohur zviceran BSC Young Boys.

Futbollistja e re luan kryesisht në pozitën e mesfushores, por në përfaqësuese, nën drejtimin e seleksionueses Katerina Mileska, është aktivizuar edhe si mbrojtëse e majtë, pozicion në të cilin luan edhe kushëriri i saj, Ezgjani.

Për Keyla Alioskin, e cila më parë ka qenë pjesë e ndeshjeve miqësore me përfaqësuesen, kjo do të jetë hera e parë që do të marrë pjesë në kualifikimet për një Kampionat Evropian. Ajo konsiderohet një futbolliste me talent dhe potencial për të lënë gjurmë në të ardhmen.

Përfaqësuesja e Maqedonisë U17 do të garojë në Grupin 4 të Ligës B, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Turneu do të zhvillohet në Gjeorgji, ku përveç vendësve, pjesëmarrëse do të jenë edhe Luksemburgu dhe Uellsi.

Ndeshjet janë në program nga 25 deri më 31 tetor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close