KA Studenti shënon 25-vjetorin e themelimit

Klubi i Atletikës Studenti nga Tetova, i themeluar në maj të vitit 2001, këtë vit feston jubileun e 25-vjetorit si anëtar i Federatës së Atletikës së Maqedonisë së Veriut.

Gjatë këtyre 25 viteve, klubi ka qenë një nga simbolet e atletikës në Tetovë dhe më gjerë. Përkundër vështirësive dhe sakrificave të shumta, KA Studenti ka arritur suksese që i bëjnë krenarë të gjithë, si në garat vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare.

Falë përkushtimit dhe punës së palodhur të kryetarit prof. Bexhet Toçi, iniciatorit dhe sekretarit Shaban Sinani, si dhe kryetarit të parë Ajdin Nuredini, klubi ka arritur të nxjerrë sportistë në nivele të larta. Ndër arritjet më të veçanta janë pjesëmarrja në Lojërat Olimpike për të rinj në Argjentinë, si dhe pjesëmarrja e pesë garuesve në Lojërat Olimpike Evropiane në Baku, Azerbajxhan, përveç shumë paraqitjeve në gara të tjera ndërkombëtare.

Si klub, Studenti ka qenë vazhdimisht në mesin e më të mirëve në vend, duke dëshmuar stabilitet dhe cilësi ndër vite.

Edhe pse është e pamundur të përmenden të gjithë atletët dhe kontribuuesit që kanë mbrojtur dhe përkrahur ngjyrat e klubit, mirënjohja për secilin prej tyre mbetet e veçantë.

Klubi i Atletikës Studenti do të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt sukseseve të reja, me synimin që edhe në të ardhmen të bëjë krenarë të gjithë dashamirët e sportit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close